Ministri Panariti inspekton punimet për pastrimin e rrjetit kullues në komunën Frakull të Fierit - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 23/11/2013

Ministri Panariti inspekton punimet për pastrimin e rrjetit kullues në komunën Frakull të Fierit

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti ishte sot në komunën Frakull të Fierit, për të inspektuar nga afër punimet për pastrimin e rrjetit kullues të kësaj zone,  i cili nuk është pastruar prej 30 vitesh. Dy javë më parë, Kryeministri Edi Rama dhe Ministri Panariti zhvilluan një vizitë në këtë komunë, ku premtuan pastrimin e plotë të rrjetit kullues, të kanaleve që çojnë ujin në parcelë. Tashmë kanë nisur punimet për pastrimin e katër kolektorëve kullues,  Bëhet fjalë për një kanal në gjatësi 8.5 km me volum 47 000 metër kub dherash.
Ministri Panariti duke inspektuar këto punime u shpreh se ‘të pastrojmë Shqipërinë në një ditë’ do të thotë edhe pastrim për zhvillim, pra pastrim të kanaleve kulluese dhe të vaditjes, për të çuar ujë në parcela me qëllim rritjen e prodhimit. Më tej z. Panariti shtoi:  “Ne premtuam gjatë vizitës me kryeministrin Rama se do të bëjmë pastrimin e kanalit kullues e vaditës dhe këtë po e bëjmë realitet. Ka gati një javë që ka nisur puna, në mënyrë të përqendruar. Gjithë forcat e mekanikës bujqësore janë të mobilizuara për të pastruar kanalin, është avancuar shumë, por do të bëhet akoma më shumë. Kanali po pastrohet dhe më tej do të thellohet në mënyrë që uji të rrjedhë lirshëm dhe të shkojë në parcela. Më vjen mirë që kjo përkoi dhe me nismën “ Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë, sepse këtu realisht po bëhet pastrimi i kanaleve dhe jo thjesht për qëllime ekologjike, por për zhvillim, për të sjellë ujë në parcela, për të ndihmuar fermerët që t’i rikthehen punës në bujqësi, për të stimuluar prodhimin bujqësor.
Në Komunën Frakull, deri më sot janë pastruar rreth 7000 metër kub dhera dhe puna vazhdon me intensitet, duke synuar që gjithë procesi të përfundojë brenda një muaji. Ministri Panariti theksoi se ky proces pastrimi i kanaleve kulluese, do të bëhet në gjithë vendin për të mundësuar dërgimin e ujit për vaditjen e tokave tona bujqësore.