Fjala e Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti për 100 ditët e para të qeverisjes - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 22/12/2013

Fjala e Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti për 100 ditët e para të qeverisjes

Mirëdita, ju falenderoj që jeni këtu sot në prezantimin e 100 ditëve të para të qeverisjes. Në zhvillimin e bujqësisë dhe të fshatit, tre janë prioritetet tona madhore aty  ku jemi të vendosur të bëjmë ndryshimin e madh në katër vitet e qeverisjes sonë.
Këto përparësi janë: uji, tregu dhe toka.
Dhe për të filluar me përparësinë e parë, në 100 ditët e para të qeverisjes, e gjithe vemendja, i gjithë përqendrimi, i gjithë mobilizimi ynë ishte për të përmirësuar rrënjësisht sistemin e kullimit dhe të vaditjes, pasi jemi në sezon shirash dhe nderhyrja ishte e nevojshme dhe emergjente. Dhe për ta bërë këtë, na duhej të nxirrnim nga kolapsi i tetë viteve, borxhet e trashëguara nga ky sistem nga mospagesa e faturave të energjisë elektrike. 850 mijë dollarë borxhe të trashëguara nuk eksistojnë më, falë një mrëadministrimi  të financave, një rialokimi të kujdesshëm të fondeve, dhe këto borxhe tashmë mund të konsiderohen te neutralizuara. Sistemi vendoset në binaret e normalitetit dhe tani zonja e zotërinj marrin kuptim dhe gjithë ndërhyrjet që ne kemi filluar të ndermarrim energjikisht, për përmirësimin rrënjësor të sistemit duke filluar që nga pastrimi i kanaleve qe kishin 40 vjet pa u pastruar, sic ishte kanali Vjose-Levan por dhe shumë kanale të tjerë. Vec kesaj, në këto momente që po diskutoj me ju, dy pompa të fuqishme po instalohen në hidrovorin e Tales, duke synuar të përmirësojmë rrënjësisht sistemin kullues në këtë pikë nevralgjike të sistemit të menaxhimit të ujërave të Shqipërisë.
Se dyti, prioriteti yne eshte tregu. Tregu është një objektiv tjetër madhor, dhe ju dhe unë bashkë jemi dëshmitare të një ndryshimi rrënjësor qëne kemi bërë në procesin e përpunimit shpërndarjes dhe tregtimit të mishit. Ne ndaluam në 100 ditët e para therrjen e kafshëve buzë trotuarve, tregtimin e mishit mes pluhurit dhe baltës dhe vendosëm të gjithë sistemin e sigurisë ushqimore brenda parametrave të sigurisë dhe cilësisë europiane. Filloi aktivizimi i thertoreve. Të gjithe ne tashmë jemi dëshmitarë që mishin mbart vulën e thertoreve, të shërbimit veterinar dhe tregtohet sipas gjithe parametrave të sigurisë dhe cilësisë nëpër tregje, në banaqe frigoriferike, brenda gjithë kritereve të përcaktuara. Ajo që është më kryesorja është që me miratimin se fundi te planit të monitorimit kombëtar të mbetjeve në bimë, gjithë sistemi ynë i sigurisë ushqimore ecën sipas një përqasjeje europiane, sipas parimit nga ferma në tavolinë, duke e bazuar gjithë punën tonë te parandalimi i gjithë infeksioneve, helmimeve, dhe pasjave shëndetësore që vijnë nga një sistem, dhe nga një ushqim I pasigurtë.
Se treti, mbështetja për fermerin, qe ne fakt është parësore. Gjithë vëmëndja jonë është e përqëndruar se si ta inkurajojmë atë, që t’i rikthehet prodhimit, të rrisë prodhimtarinë dhe të ulë koston e tij. Dhe kjo duket qartësisht në buxhetin për bujqësinë, ku kemi një shtesë 50 % të fondeve për pagesa direkte për fermerin. Por ne nuk pritëm buxhetin për të bërë ndryshimin.. Në 100 ditët e para ia dolëm të injektojmë plot 1.4 mln euro si pagesa direkte ndaj fermerit, dhe këtë e bëmë duke nënshkruar grantet për 19 fermeret e parë duke zhbllokuar fondet e programit Ipard-like. Njëkohësisht përmes disa negociatave dinamike arritëm të nënshkruajmë me sukses dhe një grant prej 10 mln eurosh nga Danimarka, grant për bujqësinë shqiptare për të favorizuar zonat më pak të avantazhuara.
Dhe ky është vetëm fillimi. Prioriteti ynë madhor mbetet toka  dhe konsolodimi I saj. Ne fillimisht ndaluam abuzimin e tokes. Përmes një vendimi që qeveria mori, padyshim ndaluam procesin abuziv të ndarjes e keqpërdorimit të tokës. Tashmë kemi një inventar të plotë të tokave publike dhe tokave që do ndahen sipas ligjit 7501.  Jemi plotësisht të orientuar për ta cuar ligjin në fjalë drejt një finaleje, që është shpërndarja e certifikatave të pronësisë për tokën, sepse në këtë mënyrë jemi të bindur që do të hapim tregun për shitblerjen e tokës, do të zgjerojmë sipërfaqen duke ulur koston e prodhimit.
Ju faleminderit. Këto janë vetëm sfidat e para që ndave me ju, por jam i bindur se rezultate shumë më sinjifikative, do të arrijmë në mandatin tonë të parë qeverisës. Faleminderit!