Analiza vjetore e ISUV, Panariti: ISUV do të çertifikojë natyrën bio të prodhimeve shqiptare - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 27/02/2014

Analiza vjetore e ISUV, Panariti: ISUV do të çertifikojë natyrën bio të prodhimeve shqiptare

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti ishte sot i pranishëm në Institutin e Sigurisë Ushqimore e Veterinare (ISUV) për të marrë pjesë në analizën vjetore të këtij Instituti, për të evidentuar problematikën e hasur vitin e shkuar dhe sfidat për këtë vit.
Ministri Panariti u shpreh se ISUV është një institut shkencor shumë i rëndësishëm, me një staf të kualifikuar që me ekspertizën e tij mbështet zhvillimin e bujqësisë shqiptare dhe veçanërisht të blegtorisë.
Duke iu referuar rolit të madh që ka ISUV në sigurinë ushqimore, veçanërisht në analizimin dhe certifikimin e produkteve ushqimore, Ministri Panariti u shpreh: “Ne kemi ndërmarrë një nismë shumë ambicioze: Prodho shqip, tregto shqip dhe konsumo shqip. E thënë kështu është një nismë shumë atraktive, por nuk mjafton. Kjo nismë kërkon një mbështetje institucionale. Ky institut do të jetë ai që do mbështesë Ministrinë e Bujqësisë në promovimin e kësaj nisme, që presupozon që produktet shqiptare të jenë të orientuara drejt prodhimit bio, dhe ISUV do jetë ai që do çertifikojë natyrën bio të prodhimeve shqiptare, nëpërmjet kapaciteteve laboratorike të instaluara përmes akredimit, në të cilin ky Institut po ecën më vendosmëri për ta përmbyllur dhe më ndihmën e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Jam i lumtur që kemi këtu dy zv rektorët e UBT, gjë që tregon se institucionet shqiptare bashkëpunojnë, ruajnë frymën e ekipit dhe mbështesin Ministrinë e Bujqësisë në realizmin e ambicieve të saj për të rritur prodhimin bujqësor dhe cilësinë e ushqimeve. Asetin më të vyer për të qenë prexent në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare kemi cilësinë e produkteve, dhe natyrën bio të prodhimeve shqiptare. Ndaj kemi krijuar këtë kuadër institucional që do e mbështesë këtë nismë, për të krijuar brande-t shqiptare, pra markat e produkteve tona, që do jenë të pranishme në vend, në tregjet ndërkombëtare dhe që do jenë kartvizita jone në BE”,- përfundoi fjalën e tij Panariti në këtë takim. Takimi vijoi me një analizë të detajuar të problematikave të këtij institucioni, fillimisht nga drejtori I ISUV z. Vitor Malutaj dhe më pas nga zv drejtori Ardian Xinxo që bëri një paraqitje dhe të gjithë analizave laboratorike që kryen ky institut shkencor si e vetmja qendër reference e akredituar për shumë analiza nga trupa akredituese vendase dhe të huaja. (http://isuv.gov.al/)

Qendra e re laboratorike
Ministri Panariti inspektoi dhe punimet e një qendre të re moderne laboratorike të diagnostikimit të sëmundjeve të transmetueshme nga kafsha te njeriu, një investim i Komisionit Europian që pritet të inagurohet në fund të muajit mars. Lidhur me këtë qendër të re Ministri Panariti u shpreh:
“Pata rastin të inspektoja punimet e një qendre të jashtëzakonshme moderne, do të thoja më e mira në Ballkan për diagnostikimin e sëmundjeve infektive dhe sëmundjeve të transmtueshme nga kafshët te njeriu. Kjo qender do rrisë ndjeshëm kapacitetet e këtij Instituti në lëmin e diagnostikimit të sëmundjeve infektive duke u bërë garant edhe më i fuqishëm për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe mbrojtjes së shendetit të konsumatorit dhe kjo është arritje e jashtëzakonshme”.

Pamjet e aktivitetit mund ti shkarkoni ne kete link:

http://www.youtube.com/watch?v=qd0Boo7MHyI&feature=youtu.be