Tana Kika – Këshilltare për çështjet e Veterinarisë dhe Sigurisë Ushqimore

Profesor i Asociuar, Doktor i Shkencave, MsC. Tana Kika (Shtylla)

Është Këshilltare e Ministrit për çështjet e Veterinarisë dhe Sigurisë Ushqimore.

Prof. Tana Kika ka lindur në Tiranë, më 25 Maj 1980; është e martuar dhe ka dy fëmijë. Ajo është diplomuar me “Medalje të Artë” në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në Universitetin Bujqësor të Tiranës në vitin 2003. Është anëtare e “Alumni Ekselenca Shqipëtare”, pas marrjes së Bursës së Ekselencës për Kryerjen e studimeve të Doktoratës pranë Universitetit të Studimeve “Aldo Moro” të Barit, Itali (2006-2010). Prej vitit 2013 gëzon titullin “Profesor i Asociuar”.

Ka një eksperiencë 16 vjeçare në zhvillimin dhe harmonizimin e kurrikulave të  Studimit Universitar dhe Pasuniversitar, si Lektore me kohë të plotë pranë Departamentit të Shëndetit Publik Veterinar. Ka aktivitet të pasur në menaxhimin teknik dhe koordinimin e mbi 10 (dhjetë) programeve dhe projekteve kërkimore e zhvillimore (Tempus, Billateral Agreements, Erasmus +, PKKZH, OASIS dhe IPA).

Ajo është eksperte e nivelit të lartë në diagnozën veterinare; vlerësimin e shëndetit të kafshëve dhe konsumatorit me fokus kërkimi: Zoonozat e dështimet në terapinë medikamentoze veterinare si pasojë e Antibiotikorezistencës ne Shëndetin Publik Veterinar. Është kërkuese e nivelit Kombëtar dhe Ndërkombetar në fushat e shëndetit të kafshëve dhe shëndetit të konsumatorit me autorësi e bashkëautorësi në mbi 28 prezantime dhe 26 publikime shkencore.

Prof. Tana Kika zotëron shumë mire gjuhët e huaja: Anglisht, Frengjisht dhe Italisht.