» Përgjysmohen dokumentat e kërkuara nga MBZHR
Postuar më: 01/02/2018

Përgjysmohen dokumentat e kërkuara nga MBZHR

Tryeza publike – Reforma e Shërbimeve Publike dhe ecuria e proçesit të Derregullimit

Është zhvilluar sot në sallën COD Kryeministri takimi me grupe interesi nga bujqësia dhe turizmi për proçesin e deregullimit. Të pranishëm në këtë takim kanë qenë Zëvendëskryeministrja znj. Senida Mesi, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi dhe Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit z. Blendi Klosi dhe grupet interesit. Një nga prioritet më kryesore të Qeverisë për Reformën në Shërbimet Publike, është proçesi i deregullimit, i cili ka të bëjë me qasjen si shtet, për të reduktuar ndjeshëm peshën e burokracisë që rëndon mbi qytetarin dhe sipërmarrjen shqiptare. Gjatë këtij takimi, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi ka bërë publike përmbylljen e fazës e parë të proçesit të thjeshtimit të dokumentave për MBZHR dhe institucionet e varësisë, duke e reduktuar me 63% numrin e dokumentave të kërkuara për ofrimin e shërbimeve. Për herë të parë, aplikimi në skemat mbështetëse do të behët me zero dokumenta.

“Padashur të përsëris ato që u thanë këtu, dua të theksoj dhe njëherë kush është frymëzimi ose motivi i reduktimit të burokracisë, që është përfshirë në një reformë, është kthyer në reformë për gjithë qeverinë shqiptare. Janë tre. Së pari, përmes reduktimit të burokracisë ne synojmë të zvogëlojmë ecejaket e qytetarëve apo fermerëve në rastin e Ministrisë, që u kam nderin të drejtoj, dhimbjet e kokës që shkakton burokracia, pra ky është motivi i parë. Motivi i dytë është reduktimi i rrugëve të rryshfetit dhe korrupsionit. Sepse të gjithë e dinë dhe e kuptojnë, se sa më shumë burokraci të ketë, prapa burokracisë shihet një mundësi për të marrë një rryfshfet kundrejt përshpejtimit të kohës së shërbimit apo zëvendësimit të një dokumenti të caktuar me një tarifë shërbimi të paligjshëm, që quhet rryfshet. Dhe së treti, duam që të zvogëlojmë rezistencën e zbatimit të vendimeve të qeverisë, të ligjeve, të nismave tona, të vullnetit tonë politik në praktikë. Sepse, rezistenca për të zbatuar një politikë të caktuar qeveritare, nuk është në fakt më shumë tek organizatat politike opozitare, se sa tek organizatat politike të zyrtareve, të burokratëve. Pra, rezistenca që burokracia i bën një vendimi të caktuar, një vullneti, një nisme të caktuar është shumë herë më e madhe se sa opozita i bën atyre.”

Kështu më konkretisht, për 22 shërbime, nga 108 dokumente të kërkuara deri dje, numri i tyre për Janarin e vitit 2018 shkoi në 40. Për Drejtorinë e Peshkimit nga 26 dokumenta, numri u ul në 5. Drejtoria Veterinare nga 28 dokumente e reduktoi numrin në 11 dhe për Drejtorinë e Sigurisë Ushqimore nga 35, numri arriti në 15. Për Ministrin Peleshi, suksesi më i madh, padyshim është arritja e reduktimit të dokumentave që kërkohen, për aplikim në Skemën Mbështetëse Financiare, nga 13 dokumente, numri i tyre u bë zero.

“Pra në të gjithë institucionet e shtetit, duke filluar pas kësaj reforme, duke filluar pra nga fillimi i këtij viti, në përgjithësi, në mos jam i gabuar, është përgjysmuar burokracia. Është përgjysmuar numri i dokumentave. Në Ministrinë tonë ka shkuar në 63 % reduktimi, pra nga 108 dokumenta që lëshohen apo që kërkohen nga Ministria e Bujqësisë dhe institucionet e varësisë nga janari i këtij viti dhe në vazhdim do të kërkohen vetëm 40. Respektivisht Drejtoria e Peshkimit nga 46 ka shkuar në 5. Drejtoritë Veterinare nga 28 kanë shkuar në 11, Drejtoritë e Sigurisë Ushqimore, pra AKU dhe të tjera nga 32 në 15 dhe kampioni i Ministrisë dhe Qeverisë besoj është Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural nga 13 dokumenta ka shkuar në zero. Pra në këtë agjenci përmes skemës së mbështetjes financiare, përmes mbështetjes me subvencione grante, në bujqesi dhe zhvillimin rural, ne kemi arritur një objektiv maksimal, dhe përtej kësaj nuk kemi ku të shkojmë më, kemi shkuar në zero dokumentacionin, kemi shkuar në vetëdeklarim. Këta fermerë që deri dje duhet të plotësonin një dosje shumë të madhe, që i kushtonte shumë kohë dhe para, disa qindra mijëra lekë, të paktën, tani zëvendësohet me vetëdeklarim. Çdo fermer do të duhet të paraqitet kur të shpallet data e aplikimit, në datën 28 shkurt me shumë shpresë, duhet të paraqitet vetëm me kartën e identitetit. Të vetëdeklarojë të dhënat që kërkon aplikimi dhe pastaj vetëm fituesi do duhet të plotësojë dokumentacinion, por jo 13 dokumenta, por vetëm një. Çertifikatën e pronësisë, ose titullin e marrjes së tokës në pronësi AMTP. Pra vetëm kaq do të duhet të sjellë fermeri. Pra, kostoja ka shkuar në minimum, vitin që vjen jam i bindur që do të kalojmë pastaj në aplikimin online nga celulari apo nga shtëpia”.

Aplikimi elektronik apo aplikimi me një numër minimal dokumentash do të cojë drejt zeros subjektivitetin e zyrtarit, që duhet të ofrojë shërbimin, duke ulur mundësinë e sorollatjes të qëllimshme ose jo, dhe do të ulë mundësinë e korrupsionit. Përqafimi e një kulture të re për skemat mbështetëse, atë të aplikimit elektronik, nën asistencën e punonjësve të Agropikave apo Drejtorive të Bujqësisë, synohet të ngrihen 36 pika në të gjithë vendin. Sistemi elektronik gjeneron vetë rankimin e aplikantëve, duke sjellë për herë të parë transparencë, në një proçes që në vite ka qenë i kontestuar nga fermeret. Ky proçes mendohet që të vijojë me aplikimin Mobile (nëpërmjet telefonisë), nga shtëpia, pranë zyrave të postave ose pranë sporteve të Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA).

“Sot aplikimi është on line por bëhet nga nëpunesit e AZHBR-së në agropikat apo pranë drejtorive të Bujqësisë, aty ku nuk ka Agropika. Synojmë të hapim 36 sportele në gjithë Shqipërinë në ish-rrethe për fermerët, për ta sjellë shërbimin sa më pranë fermerëve. Aplikimin e bën nëpunësi i zyrës, fermeri paraqitet vetëm me kartën e identitetit. Vitin që vjen nuk duhet të paraqitet fare në zyrat e AZHBR –së apo drejtoritë e bujqësisë, por mund ta bëjë aplikimin nga celulari, nga komjuteri i shtëpisë, pranë zyrës së postës apo për ata që i njohur pranë zyrave të Shërbimeve të Agjencisë ADISA. Në disa qytete të Shqipërisë janë ndërtuar disa qendra të integruara të shërbimeve ku disa institucione janë bërë së bashku, kanë bashkuar sportelet. Ne kemi agjenci që quhet ADISA, që menaxhon sportelin fizik, komunikimin me qytetarët. Këto lloj qendrash fizike do të përhapen në gjithë Shqipërinë, sot kemi në disa qytete, por nga muaji në muaj do të shtohen në gjitha qytetet e Shqipërisë, me shpresë. Kemi një portal apo një sportel që është virtual, që është sporteli apo portali e-albania, tek i cili ka shumë shërbime, siç e tha Ministri Klosi dhe Zëvendëskryeministrja, shumë shërbime që merren online. Ministritë tona, dalëngadalë hapi i parë është lehtësimi i dokumentacionit, hapi i dytë çuarja në zero e dokumentacionit dhe hapi i tretë nxjerrja e shërbimeve në portalin online, që mund të merren, të blihen pra, jo vetëm në zyrat e shtetit fizike, por edhe në celular. Pra ideja është siç e ka thënë Kryeministri, është në mënyrë të figurshme “ta fusim shtetin në celular”.

Ka thënë ndër të tjera Ministri.

Gjatë kësaj tryeze nga ana e grupeve të interesit u shtruan tematika dhe problematika lidhur me sektorin bujqësor si: problemet me titujt e pronësisë, konsolidimin e tokës, çeljen e tregjeve të reja, mbështetjen e sektorëve të ndryshëm ndër ta, bletoria, dhe siguria ushqimore. Ministri Peleshi njoftoi gjithashtu dhe nisjen e një fushatë promovuese për Skemën Kombëtare të Mbështetjes financiare, për masat dhe përfitimet në grante, subvencione dhe nga fondet e garancisë për të gjithë aplikuesit fitues.