» Peleshi: Konkursi i logos promocionale për produktet e zonave malore
Postuar më: 02/07/2018

Peleshi: Konkursi i logos promocionale për produktet e zonave malore

MBZHR-ja në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Europian, në kuadër të promovimit të produktit shqiptar të prodhuar në zonat malore, shpalli konkursin për përzgjedhjen e logos promocionale, identifikuese të këtyre produkteve. Lançimin e këtij konkursi grafik e bëri të ditur vetë ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi gjatë takimit me gratë e fshatit Qelëz, të zonës së Pukës, të qarkut Shkodër. Në këtë takim e pranishme dhe Ambasadorja e Delegacionit Europian në Tiranë, znj. Vlahutin.
“Sot, jam shumë i gëzuar që të lançoj bashkë me Ambasadoren. Ka qenë një ide e përbashkët, një iniciativë e përbashkët. Dua ta falenderoj përsëri Ambasadoren sepse ka mundësuar dhe financimin, e një logoje, pra e një etiketeje, të një emërtimi, të një logoje dalluese të prodhimeve të zonave malore. Të prodhimeve tipike, tradicionale të zonave, të prodhuara kryesisht nga gratë.”
“Ne i kemi quajtur “Zemra e malit”, në mënyrë që konsumatori ta kuptojë ka të bëjë me një prodhim, prodhuar nga gratë ne zonave të thella malore. Çka, menjëherë të lidh me pastërtinë, me llojin e veçantë të bimësisë së pastër, larg pesticideve që përdoren në këto zona etj.”
Për Ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, znj. Vlahutin, produktet e këtyre zonave duhet të arrijnë qëlliimin të jenë të dallueshme nga të gjithë konsumatorët, duke i dhënë vlerën dhe vendin e duhur. Ajo është shprehur se mjete të tilla të promovimit, janë rruga më e mirë për zhvillimin e këtyre zonave të thella malore, gjë që kërkon një mobilizim kolektiv i të gjithë aktorëve në terren.
“Ne dëshirojmë që t’ju nxjerrim nga kjo situatë, në të cilën ju shisni një kavanoz një fqinji, apo duke improvizuar dyqane apo tregje në rrugë. Ju bëni gjëra, të cilat në fund, nuk ju kthejnë mbrapsh, të gjitha ato që jepni. Pra, ne dëshirojmë t’ju ndihmojnë të rriteni pak nga pak, ku produktet e prodhuara në zonat malore, nga gratë e këtyre zonave malore të jenë të identifikueshme.”
Sipas ministrit Peleshi, këto produkte nën këtë logo promocionale, do të tregtohen në rrjetet e dyqaneve “Edua”, të cilat po ngrihen me shpejtësi në të gjithë Shqipërinë. Në Skemën kombëtare të mbështetjes financiare u parashikua një mbështetje për rrjetin e dyqaneve të produkteve tipike, “EDUA” deri 2 milionë lekë. Natyrisht, këto produkte do të tregtohen dhe në tregjet pranë zonave te tyre të prodhimit.