» MBZHR: Ndryshimi i “Ligjit për Ushqimin”, takimi i parë me grupet e interesit
Postuar më: 28/02/2018

MBZHR: Ndryshimi i “Ligjit për Ushqimin”, takimi i parë me grupet e interesit

Në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u zhvillua takimi i parë me grupet e interesit për ndryshimet në ligjin nr. 9863, datë 28.1.2008 “Për ushqimin”, i ndryshuar”. Zv/ministrja Ermira Gjeci ka pritur përfaqësues nga disa prej shoqatave kryesore të prodhuesëve dhe industrisë përpunuese në vend.

Grupet e interesit u njohën me ndryshimet kryesore të ligjit të cilat konsistojnë në përmirësimin e disa dispozitave të paqarta në ligjin aktual, nisur edhe nga problemet e dala gjatë zbatimit të tij.

Më konkretisht ndryshimet konsistojnë në:

1.     Qartësimin e kompetencave mes ministrisë dhe AKU-së në lidhje me programimin dhe implementimin e analizës së riskut.

2.     Rregullimin e dispozitave në lidhje me import-eksportet, duke u fokusuar në dokumentacionin shoqërues dhe kontrollin që kryhet në pikat e kontrollit kufitar.

3.     Rriorganizon bordin e AKU-së, duke i dhënë pavarësi dhe një rol aktiv me kompetencave të qarta.

Ndër të tjera zv/ministrja Gjeci u shpreh:

“Këto janë ndryshime të cilat kanë të bejnë me pjesën e riskut, vlerësim, manaxhim dhe komunikim. Ka ndërthurje me ligjin e veterinarisë, të cilin e kemi nëpër duar dhe atë për rishikim dhe në ligjin e veterinarisë parashikohet që AKU-ja fillon kontrollin nga ferma dhe deri në tavolinë, prandaj duke ndërthurur ligjin e vetrinarisë me ligjin e sigurisë ushqimore, janë riparë dhe kompetencat e AKU-së.

Së dyti janë riformuluar dhe përmirësuar dispozitat  në lidhje me dokumentacionin që shoqëron ngarkesat e produkteve ushqimore që importohen apo eksportohen nga Republika e Shqipërisë. Në ligjin aktual nuk mbulohen produktet me origjinë jo-shtazore dhe janë të paqarta kërkesat për produktet me origjinë shtazore. Këto janë rregulluar me projekt ligj. Gjithashtu kontrolli në pikat e inspektimit kufitar është jo i plotë, në projekt ligj janë përcaktuar dispozitat të cilat përaftojnë legjislacionin tonë me atë të BE, me praktikat e kontrollit në PIK.” Ka përfunduar fjalën e saj Zv/ministrja Gjeci.